Të premten u mbajt ekspozita vjetore e krijimeve të modës, organizuar nga Instituti Ndërkombëtar i Modës “Izet Curi” në hapësirat e Hamamit të Daut Pashës në Shkup. Ky është viti i katërt me radhë ku studentët prezantojnë njohuritë e tyre të shëndruara në krijime.
“La Parisienne” ishte tema e ekspozitës këtë vit, në suazat e së cilës u paraqitën rreth 40 krijime, të dizajnuara dhe të bëra nga studentët e modelizmit dhe stilizmit , nën mentorimin e Prof. Izet Curi nga Parisi dhe lektorët: Prof. Laze Tripkov , Prof. Dominique Brunet, Prof. Elena Vangelovska dhe Prof. Nikola Eftimov. Përveç kësaj, vizitorët patën mundësinë të shihnin krijimet e emrave të modelistëve që tani më kanë mbaruar shkollimin në këtë institute si Amra Ismani, Igor Markov, Zejnepe Aziri dhe Drita Lusjani. Studentët morrën çertifikata për arritjet vjetore. Një motivim shtesë ishin dhe shpërblimet nga Instituti Francez në Shkup, për tre studentët më të dalluar, gjegjësisht Marina Karcevska nga viti pare, Melanija Nikoloska viti dytë dhe Musli Karaliti viti tretë.
Instituti Ndërkombëtar i modës “Izet Curi” nga fillimi i saj është fokusuar në ndërtimin e stafit profesional , i cili trajnohet për të punuar në industrinë e modës së lartë, me çka nxisin ngritjen e vetë standartit të modës në Maqedoni dhe më gjerë. Për shkak të lidhjeve të krijuara nga eksperienca shumëvjeçare e prof. Izet Curi me shtëpitë nderkombëtare të modës, studentët e zgjedhur të Institutit, do të kenë mundësinë që një pjesë të studimeve dhe praktikën t’i kryejnë jashtë vendit.