Gjërat e bukura, gjërat e vyeshme i japin kuptim jetës dhe të jetuarit. Kësisoj, në Çarshinë e Shkupit, po rrezaton, megjithëse me sfida dhe vështirësi, një institut, i cili, sikur të kishte qenë i vendosur në ndonjë shtet tjetër, në kuptimin e mirëfilltë të fjalës, do të mirëpritej dhe ndihmohej me të gjitha mjetet.
Mirëpo, për fat, e tillë është shoqëria e jonë, i tillë është shteti i ynë, gjërat e bukura ngurron t`i mirëpresë në mënyrë fare të lehtë, e mos të flasim t`i ndihmojë apo mbështesë.
Kësisoj, një rreze e bukur në Çarshinë e vjetër në Shkup, po funksionon, pa bëzajtur, mu sikurse efekti flutur, duke trajnuar dhe mësuar nxënës nga të tëra viset shqiptare, e më gjerë. Ky Institut, është shndërruar në një Mini-Shengen, e bile bile edhe në një Mini-Shqiptari, ku vijojnë të nxënë mësime dhe praktikë studentë nga të gjitha trevat.
Ky Institut, nuk do të shihte këtë dritë, pa angazhimin e duhur të personit, të cilin me të drejtë do ta quaja, Ismail Kadare në fushën e Modës. Atë që bëri Ismail Kadareja në fushën e Letërsisë shqipe në Francë, atë e ka bërë edhe ky njeri në fushën e Modës, poashtu në Francë.
Pata nderin, që të njihem me këtë njeri në vazhdën e aktiviteteve të përkthimeve, në cilësinë e përkthyesit në Ambasadën e Francës në Shkup dhe në Institutin Francez, njëkohësisht me studentët e këtij Instituti dhe me mësimdhënësit. Është një Institut që duhet ta ruajmë si sytë e ballit.
Njeriun e denjë, që krijoi këtë Institut, fjalë pak e punë shumë, Izet Currin, të cilin mbase do ta vlerësojnë të tjerët si duhet, e jo aq edhe ne, ngase ne thesaret i groposim, e në sipërfaqe shohim vetëm gjësendet me më pak vlerë ose me aspak vlerë, me shijen e tij prej humori dhe me pamjen e një shkupjani të vërtetë shqiptar, do ta njihja pak më tepër përmes vlerësimeve të bëra nga personalitetet e shumta të modës botërore, me të cilët ai kishte punuar. Për të, kishin dhënë vlerësimet më të larta shumë personalitete të çmuara. Ai, mes tjerash kishte bashkëpunuar me shtëpitë më të njohura të botës së modës në Francë dhe më gjerë. Po, po. Në fushën e modës. Mbase, nuk dua ta teproj, por ende mbetemi larg që ta kuptojmë këtë fushë. Fatkeqësisht. Ose ta ndihmojmë njeriun e denjë për këtë fushë, që ta davarisë këtë aset të çmuar.
Për të kishin dhënë vlerësime Azedin Alaja, Brane Koviç, Miodrag Gjuriç (Dado), Kosturica, Luj-Rene Bezie….
I vendosur, me punëtorinë e tij, pranë Pallatit Mbretëror (Palais-Royal), Rruga Rishelje, nr. 45, në katin e parë në të djathtë, në Paris, ai kishte bërë namin. Me krijimet e tij, e kishte shokuar Parisin. Njeriu, pra, i cili kishte braktisur ish-Jugosllavinë dhe qytetin e tij, Shkupin, pasi që kishte marrë zanatin e rrobaqepësit. Kishte sfiduar stilistët dhe kreatorët e shquar të modës në Francë. Djaloshi prej Shkupi, po po, prej Shkupi. Krijimet e tij të modës do të shfaqeshin rregullisht në faqet e para të revistave, yjeve të filmave dhe yjeve të show-biznesit, nga Kristof Lamber e deri te Xhoni Holidej.
Izeti, me shtatin e tij burrëror, duke mbajtur rripin shumëngjyrësh, me armën e tij të vetme, gjilpërën dhe makinën qepëse, do të magjepste Francën. Rreth 150 yje do të bëheshin klientët e tij besnikë. Për premierën e filmit “Siciliani”, Kristof Lamber do të barte një nga smokingët e punuar nga Izeti. Izabella Axhani do të këndonte, “Princesha në bizelet e vogla” me një fustan të mrekullueshëm, të praruar prej mëndafshi, po nga ai. Xhoni Holidej do të barte një xhaketë, me të cilën do të gjendej në ballinën e Paris-Match. Në punëtorinë e tij në rrugën Rishelje, në afërsi të Shtëpisë së Operës, në dy dhoma të zakonshme me kanavacë të venitur në mure, por të zbukuruar me bojëra uji të Dados, do të gjendeshin regjisori Zhan-Zhak Ano, Rishar Beri, Mishel Blan, Zhozijan Balasko…
Kristof Lamber, Izabela Axhani, Rishar Beri, Sofi Diaz, Zhozijan Balasko, Zhan Zhak Ano, Elizabet Burzhin …. nuk do të reshtnin së vizituari punëtorinë e tij. Qysh në moshën 22 vjeçe, ai do të punonte te Hermes dhe Larosh, përpara se të fillonte bashkëpunimin me Tjeri Migler dhe Azedin Alaja, i cili ishte i magjepsur nga teknika e tij e jashtëzakonshme e qepjes. Izet Curri zgjedhtë pëlhurat, e Izabel Axhani, pëlqente të vijë tek ai për këshilla.
A nuk mjafton me kaq?
Revistat dhe gazetat më të njohura do të shkruanin për të. Revistat “Beaute”, “Elle”, “Jardin des Modes”, “Le Figaro”, “Le Parisien”, “Le Point”, “Paris Magazine”, “Pariz Match”, …. e revistat dhe gazetat tona, do ta përmendin tek-tuk ndonjëherë, duke e harruar këtë personalitet gjenial.
Vlerësimet për të do të jenë nga më të ndryshmet.
IZABELLA AXHANI do të shprehej: “Izeti është unik, ai është i jashtëzakonshëm. Në dukje ka një pamje naive, por të shikon drejt e në sy. Dora e tij është e fortë dhe e palodhshme, dhe ai është i gatshëm, të shesë makinën e tij personale për disa metra pëlhurë.” KRISTOF LAMBER do të shtonte: “Unë gjithmonë i pëlqej ata që kërkojnë, sepse ata krijojnë, Izeti është njëri prej tyre, me një bujari të pafund, dhe unë besoj në zgjuarsinë dhe gjenialitetin e tij, sepse e pashë, se si më vizatoi një smoking aq të ndritshëm, sikurse Kometa e Haleit ose një pallto në ngjyrë të kaltër-të mbyllur”. ALEN PAZH do të ngulmonte „Izeti ëndërron, vëzhgon dhe vizaton, ndërsa nga pikturat e tij lindin gra të reja. Tek ai vishen edhe për në skenë edhe për të dalë në qytet, që nga Riadi e deri në Nju Jork.
Aktori i famshëm francez Zherar DEPARDJE, do të theksonte “Izeti është rrobaqepësi dhe dizajneri im i vetëm dhe unik”. E Rishar BERI do të përsëriste: “Izeti, miku im më i mirë, është stilisti dhe rrobaqepësi më i madh dhe më i shquar në botë.
Është koha ta përkrahim dhe t`ia njohim vlerat këtij njeriu të modës, veprimtaria e të cilit, rrezaton edhe sot e kësaj dite. Mjafton, që t`i bëjmë vizitë Institutit të tij të modës, për të kuptuar se ç ‘punë e vyeshme bëhet aty. Nën tutelën e tij.
Ambienti i punës dhe saktësia, mbizotërojnë këtë Institut. Ndërsa, përgjegjësia dhe profesionalizmi, nuk mund të mos jenë të pranishëm, kur shfaqet udhëheqësi i këtij Instituti, Izet Curri, me xhaketën e tij karakteristike dhe kapelën e tij unikate, i shoqëruar nga Dominik Bryne, Nikolla Eftimov, Elena Vangelovska, Nadica Georgieva…..dhe armata e studentëve.
Me të drejtë e ndaj me lexuesit këtë hollësi. Ambasada e Francës dhe Instituti Francez, e çmojnë tej mase këtë personalitet. Bashkëpunimi me Institutin e modës së këtij njeriu, është vlerë e mirënjohjes ndaj punës së tij dhe angazhimit maksimal. Është koha, që edhe autoritetet lokale, edhe ato shtetërore, edhe mediat, edhe elitat e të gjitha shtresave, t`i shprehin mirënjohje, ta ndihmojnë, jo vetëm deklarativisht, këtë Institut dhe këtë njeri. Sepse aty trajnohen ambasadorët dhe ambasadoret e modës nga tërë viset shqiptare dhe më gjerë. E kemi borxh dhe obligim.
Khalil Gibran, poeti i famshëm libanez, i cilësuar si poeti i tretë më i lexuar në botë, pas Shekspirit dhe Laozit, kishte thënë “vetëm njerëzit e vegjël përpiqen të poshtërojnë dhe të ulin të tjerët. Kush nënvlerëson është vlerëpak”, duke shtuar “Për të kuptuar zemrën dhe mendjen e një personi, mos shiko vetëm çfarë ka arritur, shiko edhe se çfarë qëllimesh ka ai”.
Le të zbulojmë universin e Izetit (lexo: Kadareut tonë në fushën e modës), duke e vlerësuar, duke e kuptuar, si dhe duke e ndihmuar në qëllimet e tij.
Ardian RAMADANI (përkthyes në Ambasadën e Francës në Shkup dhe Institutin Francez, autor librash dhe profesor)
Burim: https://www.koha.mk